Mbi 70 mln lekë gjoba mjedisore nuk u arkëtuan, KLSH: 10.5 mln lekë u shfuqizuan pa justifikim
Mbi 70.2 milionë lekë gjoba të vendosura për shkelje mjedisore nuk rezultojnë të arkëtuara nga agjencitë e mjedisit.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar edhe 10.49 milionë lekë gjoba të shfuqizuara në mënyrë të pajustifikuar. Nga çdo 100 lekë gjoba të vendosura, janë mbledhur vetëm rreth 37 lekë.
Sipas të dhënave nga agjencitë rajonale të Fierit, Beratit dhe Tiranës, gjatë periudhës së audituar janë vendosur 235 masa administrative me vlerë të përgjithshme 112.13 milionë lekë, por janë arkëtuar vetëm 41.923 milionë lekë. Diferenca prej 70.207 milionë lekësh, ose rreth 62.6 për qind e vlerës së gjobave, ka mbetur e paarkëtuar.
Fieri ka peshën më të madhe në vlerën e masave të vendosura. ARM Fier raporton 120 gjoba me vlerë 59.05 milionë lekë, nga të cilat janë arkëtuar 22.748 milionë lekë. Në Berat janë vendosur 60 masa me vlerë 25.86 milionë lekë, me arkëtime prej 11.27 milionë lekësh, ndërsa Tirana raporton 55 masa me vlerë 27.22 milionë lekë, nga të cilat janë arkëtuar vetëm 7.905 milionë lekë. Në Tiranë, niveli i arkëtimit rezulton vetëm rreth 29 për qind.
KLSH evidenton gjithashtu problematika me vetë informacionin mbi masat administrative. Ndërsa tri agjencitë rajonale raportojnë 235 masa, Agjencia Kombëtare e Mjedisit raporton 247 masa administrative. Sipas auditimit, kjo mospërputhje e bën të vështirë përcaktimin e saktë në nivel kombëtar të numrit të gjobave në fuqi, atyre të paguara, të ankimuara dhe atyre që vazhdojnë të mbeten detyrim.
KLSH: 10.49 milionë lekë gjoba u shfuqizuan pa justifikim
Nga raporti rezulton se janë shfuqizuar në mënyrë të pajustifikuar gjoba me vlerë 10.49 milionë lekë. KLSH ka konstatuar raste kur Komisioni i Shqyrtimit të Ankimimeve ka hequr masat e vendosura nga inspektorët pa analizuar në themel provat dhe shkeljet e evidentuara gjatë kontrolleve në terren.
Të dhënat e Sektorit të Apelimeve tregojnë se gjatë viteve 2023-2025 janë shqyrtuar 106 ankime. Në 66 raste masa administrative është lënë në fuqi, ndërsa në 36 raste është shfuqizuar, ose në rreth një të tretën e ankimeve të shqyrtuara.
Në katër procedura që lidhen me subjektet “T. M. Al”, “A.” sh.a., në dy raste, dhe “M. K”, Komisioni shfuqizoi gjoba me vlera përkatësisht 400 mijë, 1 milion, 300 mijë dhe 500 mijë lekë, ose 2.2 milionë lekë në total. Shfuqizimi ishte argumentuar me parregullsi procedurale dhe me faktin se inspektimet nuk ishin kryer nëpërmjet sistemit “e-inspektimi”.
Por KLSH vlerëson se ky argumentim nuk mbështetej në prova dhe argumente të mjaftueshme ligjore. Sipas auditimit, Komisioni nuk kishte analizuar në themel shkeljet e konstatuara dhe provat e administruara gjatë inspektimeve, përfshirë, në disa raste, edhe rezultatet e analizave të mostrave të marra në terren.
Gjoba 5 milionë lekë u hoq pas shkarkimeve me hidrokarbure drejt Gjanicës
Rasti me vlerën më të lartë të evidentuar individualisht nga KLSH lidhet me një gjobë prej 5 milionë lekësh ndaj një subjekti që ushtronte aktivitet në shfrytëzimin e naftës.
Gjatë inspektimit në zonën e lumit Gjanica, në vendin e quajtur “Ofiçina e Vjetër Visokë”, inspektorët kishin konstatuar shkarkim të lëndëve hidrokarbure së bashku me ujë teknologjik të gjeneruar nga procesi i dekantimit. Shkarkimi ishte dokumentuar me fotografi dhe video përgjatë përroit që përfundonte në lumin Gjanica.
Megjithatë, Komisioni i Shqyrtimit të Ankimimeve e shfuqizoi gjobën prej 5 milionë lekësh. KLSH vlerëson se vendimi ishte mbështetur kryesisht në pretendime procedurale, pa analizuar në themel shkeljen dhe provat e administruara gjatë inspektimit.
Sipas KLSH-së, subjekti e kishte ushtruar brenda afatit të drejtën e ankimit ndaj vendimit përfundimtar dhe, për rrjedhojë, e drejta e tij procedurale nuk ishte cenuar.
KLSH kërkon databazë të unifikuar dhe ndjekje të gjobave
Në përfundim të raportit, Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon krijimin e një databaze të unifikuar për masat administrative, rakordimin periodik të të dhënave ndërmjet nivelit qendror dhe atij rajonal, si dhe ndjekjen sistematike të gjobave deri në arkëtimin e tyre.
Për rastet e shfuqizimit të masave administrative, KLSH kërkon që vendimet të merren vetëm pas një vlerësimi të plotë të provave dhe të shkeljeve të konstatuara gjatë inspektimeve në terren.
Burimi: Ekofin
Më të lexuarat






k.jpg)